"Pastër është Bukur - Ohri Selekton" – Interes i madh dhe vizitë e shkëlqyer në ngjarjen pop-up
Sheshi i qytetit në Ohër dje ishte i mbushur me muzikë, energji pozitive dhe të qeshura fëmijësh, pasi qindra qytetarë iu bashkuan ngjarjes pop-up "Pastër është Bukur - Ohri Selekton," të organizuar nga Ndërmarrja Publike "Ohridski Komunalec" dhe Komuna e Ohrit me mbështetjen e Suedisë përmes SALAR International.
Ngjarja ishte pjesë e aktiviteteve përgatitore për iniciativën e madhe për selektimin e mbeturinave në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.
Qëllimi i ngjarjes ishte që në një mënyrë argëtuese, interaktive dhe praktike t'u afrohej qytetarëve dhe vizitorëve të Ohrit procesi i selektimit dhe trajtimi i duhur i mbeturinave. Disa pika edukative u mundësuan pjesëmarrësve të mësojnë përmes lojës – nga gjetja e kohës që u duhet materialeve të ndryshme për t'u dekompozuar, deri te "basketbolli me mbeturina" dhe "bingo e riciklimit," aktivitete këto që zgjuan interes të madh te fëmijët dhe të rriturit.
Mësuesit dhe nxënësit nga disa shkolla fillore, të cilët janë pjesë e programit edukativ të projektit "Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal" i zbatuar nga SALAR International, udhëhoqën në mënyrë aktive lojërat dhe inkurajuan qytetarët që të përfshihen. Vullnetarët e Kryqit të Kuq, përfaqësuesit e NP "Ohridski Komunalec" dhe Komunës së Ohrit ndanë këshilla të dobishme për selektimin e duhur dhe shpërndanë materiale informative.
"Jemi shumë të kënaqur me përgjigjen e qytetarëve. Ata treguan interes të sinqertë, ndërsa më të rinjtë na demonstruan se shprehitë e selektimit mund të mësohen shpejt dhe lehtë kur procesi prezantohet në mënyrë të kuptueshme dhe argëtuese," deklaruan organizatorët. Ata shtuan se ngjarja e sotme është edhe një vërtetim se Ohri ka vullnetin dhe potencialin për t'u bërë shembull për trajtimin e qëndrueshëm të mbeturinave dhe për kujdesin e përbashkët ndaj natyrës.
Ngjarja është pjesë e fushatës më të gjerë "Pastër është Bukur - Selekto," e cila përfaqëson një platformë të re bashkëpunimi midis institucioneve, hoteleve, objekteve hotelerike, marketeve, turistëve, qytetarëve dhe organizatave qytetare, me një qëllim të përbashkët: një Ohër më të pastër dhe më të bukur.
Iniciativa filloi me një grup prej nëntë partnerësh pilot, mes të cilëve janë hotelet "Tourist", "Bellevue", "Metropol", "Qendra Kongresuale", "Belvedere", "Pela", "Tino – Shën Stefan", "Granit", "Garden", marketi "Ramstore", si dhe shkollat fillore dhe të mesme si pjesë e programit "Shkollat pa plastikë". Në muajt në vijim, Komuna e Ohrit dhe NP "Ohridski Komunalec" do të zgjerojnë rrjetin e partnerëve me qëllim që deri në fillim të sezonit turistik të vitit 2026, një pjesë e konsiderueshme e qytetit të jetë plotësisht e përgatitur me sisteme të vendosura për menaxhimin e duhur të mbeturinave. Gjithashtu, aktivitetet edukative dhe informative si pjesë e fushatës do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm me përmbajtje të reja edukative, trajnime dhe mjete praktike për qytetarët dhe komunitetin e biznesit.
Organizatorët shprehin mirënjohje për të gjithë qytetarët që morën pjesë në ngjarje dhe ndihmuan në përcjelljen e mesazhit se një qytet i pastër është një qytet i bukur.