Krijimi i një sistemi funksional rajonal do të mundësojë zgjidhje të përhershme të problemit të mbetjeve

Pastrimi i vendgrumbullimeve të mbetjeve dhe deponive që nuk i përmbushin standardet, në vetvete, nuk e zgjidh problemin e mbetjeve me të cilin përballet vendi. Pikërisht për këtë arsye, mbyllja dhe rehabilitimi i këtyre lokacioneve është pjesë e një qasjeje më të gjerë dhe të koordinuar, e cila varet nga krijimi i një sistemi funksional rajonal të menaxhimit të mbetjeve (SRMM) – sqaroi Emil Angelov, ekspert për zhvillim institucional dhe menaxhim të mbetjeve në SALAR International, në një intervistë për TV 24.
SRMM është një sistem që përfshin infrastrukturë moderne, shërbime të grumbullimit dhe transportit, selektimin e duhur të mbetjeve, mbylljen dhe rehabilitimin e vendgrumbullimeve dhe deponive, si dhe depozitimin e sigurt të mbetjeve që mbeten pas selektimit të duhur. Pa një menaxhim të tillë të organizuar të mbetjeve dhe pa masa për parandalimin e depozitimit të përsëritur në mënyrë të papërshtatshme, lokacionet e pastruara mund të shndërrohen sërish në vendgrumbullime të mbetjeve.
Përveç kësaj, siç theksoi Angelov, selektimin i mbetjeve është pjesë e rëndësishme e sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve dhe parakusht për zvogëlimin e sasive të mbetjeve që përfundojnë në deponi. Selektimi i duhur krijon kushte që vetëm një pjesë minimale e mbetjeve të gjeneruara të depozitohet në deponi, siç është rasti me Suedinë, ku vetëm 1% e mbetjeve përfundon në deponi. Në vendin tonë, situata është ndryshe dhe 99% e mbetjeve të grumbulluara depozitohen në deponitë ekzistuese që nuk i përmbushin standardet.
Që të funksionojë selektimin i mbetjeve, nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet komunave, ndërmarrjeve të tyre komunale dhe qytetarëve. Krahas edukimit, komunat duhet, para së gjithash, të sigurojnë shërbime që mbështesin selektimin e mbetjeve – të sigurojnë kamionë, kosha dhe kontejnerë të përshtatshëm, si dhe orare të rregullta për grumbullimin e mbetjeve të selektuara, etj. Nga qytetarët, ndërkaq, pritet që t'i shfrytëzojnë siç duhet këto shërbime dhe të kontribuojnë për zvogëlimin e sasisë së mbetjeve që përfundojnë në deponi. Megjithatë, nuk mund të pritet një ndryshim i qëndrueshëm i sjelljes nëse sistemi nuk i siguron kushtet e nevojshme, theksoi Angelov.
Në këtë kontekst, Angelov theksoi se selektimin i mbetjeve, si dhe mbyllja dhe rehabilitimi i vendgrumbullimeve dhe deponive që nuk i përmbushin standardet, janë identifikuar si disa nga prioritetet për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm rajonal në Planin e ri Rajonal të Menaxhimit të Mbeturinave 2027–2032 (PRMM) për rajonet e Pellagonisë dhe atë të Jugperëndimit. Plani Rajonal do të përcaktojë kornizën për krijimin e sistemit rajonal, ndërsa qëllimi është që zgjidhjet aktuale të fragmentuara dhe të papërshtatshme të zëvendësohen me një sistem të koordinuar, i cili do të sigurojë shërbime komunale më cilësore, më pak mbetje që përfundojnë në deponi dhe mbrojtje më të mirë të mjedisit jetësor.
Krahas selektimit të mbetjeve dhe rehabilitimit të vendgrumbullimeve, fusha të tjera kyçe që do të mundësojnë një sistem funksional të menaxhimit të mbetjeve janë ndërtimi i infrastrukturës rajonale, siç është qendra rajonale e menaxhimit të mbetjeve në Novaci, ngritja e kapaciteteve institucionale në nivel lokal dhe rajonal për ofrimin e shërbimeve, sigurimi i qëndrueshmërisë financiare, si dhe rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe trajtimi i përgjegjshëm i mbetjeve.
Rajoni përballet me sfida që kërkojnë koordinim ndërmjet komunave, ndërmarrjeve publike komunale dhe institucioneve të tjera, por edhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve, bizneseve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni në: https://youtu.be/BzQ3wjILrSQ?si=07TFG43x83v2sTiC
Mbështetja për krijimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve në rajonet e Pellagonisë dhe Jugperëndimit sigurohet në kuadër të projektit “Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR International.