Ryan Knox për MIA: Modeli rajonal e transformon menaxhimin e mbeturinave nga një sërë zgjidhjesh të pjesshme lokale në shërbim publik modern

-Sistemi i menaxhimit të mbeturinave në Maqedoninë e Veriut ndodhet në një pikë kthese. Vendi ka miratuar legjislacion solid të harmonizuar me standardet e BE-së, por zbatimi ende mbetet prapa. Sistemi vazhdon të jetë i fragmentuar, me mbulim të pabarabartë me shërbime, përqindje shumë të ulët të riciklimit dhe varësi nga deponitë që nuk i plotësojnë standardet e përcaktuara”, thotë në intervistë për MIA Ryan Knox, drejtor ekzekutiv i SALAR International, pjesë përbërëse e Shoqatës Suedeze të Autoriteteve Lokale dhe Rajoneve, e cila është një lloj ekuivalenti i BNjVL-së. Ai shton se, megjithatë, gjithnjë e më shumë komuna po fillojnë ta shohin menaxhimin e mbeturinave jo vetëm si kosto, por edhe si mundësi të lidhur me shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe, më e rëndësishme, anëtarësimin në BE.
Z. Knox këtë javë mori pjesë në Forumin Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave “Së bashku për një rajon pa mbeturina: drejt një sistemi rajonal funksional dhe të qëndrueshëm”, që u mbajt në Shkup në organizim të projektit "Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal", financuar nga Suedia dhe implementuar nga SALAR International, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNjVL-në.
-Studimi ynë i fundit për ndikimin e procesit të anëtarësimit në BE mbi autoritetet lokale tregon qartë se ky sektor është një pikë hyrëse kyçe për reforma, ku progresi mund të përshpejtojë harmonizimin me standardet e BE-së dhe të sjellë përmirësim të dukshëm për qytetarët”, thotë Knox.
Qytetarët në të gjitha 18 komunat në Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor këtë vit do të marrin kosha për hedhjen dhe selektimin e mbeturinave, ndërsa ndërmarrjet publike komunale do të marrin kamionë në madhësi të ndryshme për mbledhje efikase të mbeturinave. Investimet janë pararendëse të realizimit të Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave, e cila, për nevojat e 350.000 banorëve të të dy rajoneve, do të ndërtohet në komunën e Novacit. Përveç një deponie qendrore, qendra do të ketë edhe katër stacione transferuese, si dhe më shumë qendra grumbulluese. Qendra rajonale duhet të mbyllë 16 deponi që aktualisht funksionojnë pa asnjë standard.
Për projektin tashmë janë siguruar mjete financiare përmes një huaje nga BERZH (EBRD), si dhe nga grantet e Suedisë dhe Zvicrës. Është formuar edhe Bordi Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave, në të cilin janë të gjitha 18 komunat e të dy rajoneve, ndërsa në periudhën e ardhshme duhet të formohet edhe ndërmarrja komunale rajonale.
Në intervistën për MIA, Knox flet pikërisht për këtë proces, për përfitimet nga sistemi rajonal për menaxhimin e mbeturinave, për mbështetjen që SALAR International u jep autoriteteve kombëtare, për praktikat suedeze dhe për atë që mund të zbatohet në terrenin e Maqedonisë së Veriut.
Knox thekson se përfitimi më i madh është se modeli rajonal e transformon menaxhimin e mbeturinave nga një sërë zgjidhjesh të pjesshme lokale në shërbim publik modern.
-Sot, shumë komuna punojnë në mënyrë të pavarur, shpesh pa burimet e nevojshme për menaxhim efektiv të mbeturinave. Sistemi Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave (SRMM) e ndryshon këtë duke nxitur bashkëpunimin ndërkomunal dhe duke u mundësuar komunave të ndajnë infrastrukturën, ekspertizën dhe kostot”, thotë ai.
Në vijim është intervista e plotë me drejtorin ekzekutiv të SALAR International, Ryan Knox:

Morët pjesë në Forumin Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave në Shkup, që u mbajt para disa ditësh. Si do ta vlerësonit gjendjen aktuale në Maqedoni dhe cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen komunat?
-Sistemi i menaxhimit të mbeturinave në Maqedoninë e Veriut ndodhet në një pikë kthese. Vendi ka miratuar legjislacion solid të harmonizuar me standardet e BE-së, por zbatimi ende mbetet prapa. Sistemi vazhdon të jetë i fragmentuar, me mbulim të pabarabartë me shërbime, përqindje shumë të ulët të riciklimit dhe varësi nga deponitë që nuk i plotësojnë standardet e përcaktuara. Procesi i decentralizimit në vend ka qenë më shumë institucional sesa funksional. Si rezultat, komunat kanë pasur shumë detyrime, por shpesh pa burimet e nevojshme. Kapaciteti i kufizuar teknik, sistemet e dobëta të arkëtimit dhe tarifat e ulëta krijojnë një rreth vicioz, ku shërbimet nuk mund të përmirësohen për shkak të mungesës së financave, ndërsa qytetarët, nga ana tjetër, nuk duan të paguajnë për shërbime jocilësore. Ekziston edhe dimensioni politik. Projektet infrastrukturore, si ndërtimi i deponive ose stacioneve transferuese, dinë të jenë çështje të ndjeshme, sidomos gjatë zgjedhjeve. Kjo mund ta vonojë vendimmarrjen dhe t'i ngadalësojë reformat. Megjithatë, vërejmë një ndryshim gradual. Gjithnjë e më shumë komuna po fillojnë ta shohin menaxhimin e mbeturinave jo vetëm si kosto, por edhe si mundësi të lidhur me shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe ajo që është shumë e rëndësishme, anëtarësimin në BE. Studimi ynë i fundit për ndikimin e procesit të anëtarësimit në BE mbi autoritetet lokale tregon qartë se ky sektor është një pikë hyrëse kyçe për reforma, ku progresi mund të përshpejtojë harmonizimin me standardet e BE-së dhe të sjellë përmirësim të dukshëm për qytetarët.
Reformë kyçe është vendosja e sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave. Çfarë e bën këtë sistem më të mirë se modeli aktual?
-Dallimi më i madh është se modeli rajonal e zëvendëson fragmentimin me bashkëpunim dhe ofrim të shërbimeve. Sot, shumë komuna punojnë në mënyrë të pavarur, shpesh pa burimet e nevojshme për menaxhim efektiv të mbeturinave. Sistemi Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave (SRMM) e ndryshon këtë duke nxitur bashkëpunimin ndërkomunal dhe duke u mundësuar komunave të ndajnë infrastrukturën, ekspertizën dhe kostot. Kjo mundëson ndërtimin e objekteve moderne, përmirësimin e efikasitetit dhe përmbushjen e standardeve mjedisore të BE-së. Gjithashtu, futen struktura më të qarta të qeverisjes, siç është Bordi Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave dhe, së shpejti, ndërmarrja publike rajonale, të cilat e forcojnë llogaridhënien. Për qytetarët, përfitimet janë shumë konkrete: shërbime më cilësore, mjedis më i pastër dhe mundësi më të mira për riciklim. Infrastruktura kyçe, si deponitë rajonale, stacionet transferuese dhe qendrat grumbulluese të mbeturinave, së bashku me futjen e selektimit të mbeturinave dhe mbylljen graduale të deponive ilegale, siguron mjedis më të pastër dhe më të sigurt. Në thelb, kjo e transformon menaxhimin e mbeturinave nga një sërë zgjidhjesh të pjesshme lokale në shërbim publik modern.
SALAR International bashkëpunon ngushtë me partnerët e Maqedonisë. Cilat janë rezultatet kryesore deri tani?
-Projekti u fokusua në vendosjen e themeleve për ndryshime afatgjata. Një nga arritjet kryesore është përgatitja, miratimi dhe realizimi i suksesshëm i Planeve Lokale të Veprimit në 15 komuna partnere. Këto plane e shndërruan Strategjinë Kombëtare dhe Planin Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave (PRMM) në aktivitete konkrete operative lokale dhe janë zhvilluar përmes një procesi gjithëpërfshirës ku u përfshinë të punësuarit në komuna, në ndërmarrjet publike, si dhe qytetarët. Forcimi i kapaciteteve gjithashtu ishte në fokus. Përmes trajnimeve, mentorimit dhe vizitave studimore, veçanërisht në Suedi dhe Serbi, ku SALAR International mbështet iniciativa të ngjashme, kryetarët e komunave dhe stafi teknik i komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale fituan njohuri praktike dhe, çfarë është më e rëndësishme, një perspektivë të re për atë që është e realizueshme. Përveç kësaj, me mbështetjen e ekspertëve suedezë dhe atyre të Maqedonisë, u krijuan një sërë mjetesh dhe metodologjish që u ndihmojnë komunave në planifikim, implementim dhe vendimmarrje. Kemi mbështetur edhe progres real në bashkëpunimin ndërkomunal. Themelimi i Bordit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave për Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor është veçanërisht i rëndësishëm sepse sinjalizon përkushtim të rritur te komunat. Një nga vendimet e para të tij ishte fillimi i përgatitjes së një plani të ri rajonal, proces që fillon pas Forumit. Gjithashtu, përfshirja e qytetarëve filloi të përmirësohet. Përmes fushatave për ngritjen e vetëdijes, programeve shkollore dhe iniciativave pilot për selektimin e mbeturinave, komunat gjithnjë e më shumë po hapen për dialog me qytetarët dhe organizatat qytetare, të mbështetura nga metodologjia e prezantuar nga SALAR International. Megjithëse të vogla, këto janë hapa të rëndësishëm drejt ndryshimit të sjelljes, ndërtimit të besimit dhe sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të sistemit.
Suedia shpesh përshkruhet si vend me një nga sistemet më të avancuara për menaxhimin e mbeturinave në botë. Çfarë e bën modelin suedez të suksesshëm dhe pse është interesant për vendet e tjera?
-Sistemi suedez për menaxhimin e mbeturinave shpeshherë është objekt admirimi ndërkombëtar, por duhet të jemi modestë në këtë drejtim. Ai është ndërtuar për dekada të tëra dhe ende po zhvillohet, veçanërisht kur bëhet fjalë për parandalimin, ripërdorimin dhe riciklimin. Megjithatë, rezultatet janë të qarta: deponimi është ulur në minimum, mbeturinat shihen si resurs dhe komunat ofrojnë shërbime cilësore të orientuara drejt qytetarëve. Ajo që e bën sistemin funksional nuk është vetëm teknologjia. Por, është kombinimi i politikave afatgjata, përgjegjësive të qarta, bashkëpunimit ndërkomunal dhe besimit të fortë publik. Komunat shpesh bashkëpunojnë përmes ndërmarrjeve të përbashkëta për mbeturina, gjë që u mundëson të punojnë në mënyrë efikase. Suedia është gjithashtu proaktive në raport me legjislacionin mjedisor të BE-së, duke e trajtuar atë si nxitës të inovacionit dhe jo vetëm si detyrim për harmonizim. Ky është një mësim kyç për vende si Maqedonia e Veriut, ku anëtarësimi në BE mund t'i përshpejtojë reformat vetëm nëse shoqërohen me kapacitet të përshtatshëm lokal dhe llogaridhënie. Ekziston interes i madh ndërkombëtar për zgjidhjet suedeze. Përmes partneriteteve tona dhe bashkëpunimit me Team Sweden Smart Cities, shohim se vendet nuk kërkojnë vetëm zgjidhje teknike - ato duan të kuptojnë se si duhet të organizohen komunat, si të përfshihen qytetarët dhe si sistemet të funksionojnë në praktikë. Në fund, mësimi është i thjeshtë: menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave varet nga ndjenja e pronësisë, bashkëpunimi dhe besimi.
Në çfarë mase mund të transferohet përvoja suedeze në vendin tonë?
-Suedia mund të jetë pikë e mirë reference, por nuk është model për kopjim të verbër. Ajo që është e transferueshme janë parimet: bashkëpunimi ndërmjet komunave, strukturat e qarta të qeverisjes, qëndrueshmëria financiare dhe përfshirja e fortë e sektorit qytetar. Suedia tregon se si mund të funksionojë një sistem kur të gjithë këta elementë janë në vend. Përmes projektit, këto mësime përshtaten me kontekstin e Maqedonisë. Vizitat studimore dhe shkëmbimi i përvojave, përfshirë edhe angazhimin e praktikantëve nga komunat dhe ndërmarrjet publike suedeze që punojnë së bashku me komunat tona partnere në Maqedoninë e Veriut, janë treguar veçanërisht efikase për t'u treguar liderëve vendor se si duket një sistem funksional në praktikë. Por, suksesi në fund varet nga pronësia mbi procesin. Zgjidhjet duhet t'i përgjigjen realitetit politik, financiar dhe shoqëror në vend.
A janë autoritetet lokale dhe ndërmarrjet komunale të gatshme ta implementojnë dhe mirëmbajnë sistemin e ri?
-Ka progres, por ekziston edhe nevojë e qartë për mbështetje të mëtejshme. Kapacitetet dallojnë ndjeshëm nga komuna në komunë. Disa po përparojnë shpejt, ndërsa të tjerat ende përballen me kufizime serioze në aspektin e personelit, financave dhe ekspertizës teknike. Megjithatë, vetëdija dhe angazhimi janë rritur dukshëm. Menaxhimi i mbeturinave po bëhet prioritet për shumë komuna, ndërsa ndërmarrjet publike komunale po fillojnë ta modernizojnë punën e tyre. Sfida e vërtetë tani është qëndrueshmëria - të sigurohet që këto përmirësime të institucionalizohen. Kjo përfshin forcimin e sistemeve financiare përmes vendosjes së një mekanizmi funksional tarifor, përmirësimin e mbledhjes së të dhënave dhe formimin e Ndërmarrjes Publike Rajonale, e cila do të jetë me rëndësi kyçe për menaxhimin e infrastrukturës së re.
Cilat janë hapat e ardhshëm kyç për arritjen e një sistemi plotësisht funksional të harmonizuar me BE-në?
-Dallohen disa prioritete. Së pari, bashkëpunimi ndërkomunal duhet të kalojë nga planifikimi në implementim të plotë. Strukturat rajonale duhet të bëhen operative dhe efikase. Së dyti, përfshirja e qytetarëve duhet të rritet. Sistemet e menaxhimit të mbeturinave funksionojnë vetëm nëse njerëzit marrin pjesë në to - përmes selektimit të mbeturinave, pagesës së shërbimeve dhe mbështetjes së reformave. Së treti, duhet të zgjidhet çështja e qëndrueshmërisë financiare. Pa tarifa reale dhe sisteme më të mira arkëtimi, sistemi nuk mund të funksionojë në afat të gjatë. Së katërti, anëtarësimi në BE duhet të përdoret në mënyrë më strategjike. Kërkesat e legjislacionit të BE-së janë njëkohësisht udhërrëfyes dhe nxitje e fuqishme për reforma. Në fund, qeverisja dhe llogaridhënia janë kyçe. Një sistem i qëndrueshëm varet nga role të qarta, ndjenja e fortë pronësisë mbi procesin dhe llogaridhënia institucionale. Po aq e rëndësishme në këtë fazë është ruajtja e hovit. Me bazat kryesore tashmë të vendosura, përdorimi i vazhdueshëm i përvojave dhe mjeteve praktike të zhvilluara përmes projektit të SALAR International mund të ndihmojë në përshpejtimin e implementimit dhe shmangien e vonesave. Nëse këto elemente bashkohen në një tërësi, Maqedonia e Veriut ka mundësi reale të ndërtojë një sistem modern për menaxhimin e mbeturinave, i cili jo vetëm që do të jetë në përputhje me standardet e BE-së, por edhe do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e saj.