Komuna e Krivogashtanit ka filluar selektimin e mbetjeve plastike në familje

Në Komunën e Krivogashtanit ka filluar zbatimi i sistemit të selektimit të mbetjeve plastike në amvisëri, si pjesë e aktiviteteve për krijimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve në rajonin e Pellagonisë dhe atë të Jugperëndimit.
Në fazën fillestare, qytetarët përfshihen vullnetarisht në sistem përmes lidhjes së kontratave për përdorimin e koshave falas, të dedikuar për grumbullimin e mbetjeve plastike. Krahas koshave, familjet marrin edhe fletëpalosje informuese me udhëzime për selektimin e duhur të mbetjeve, pasi pjesëmarrja aktive e qytetarëve dhe përdorimi i drejtë i koshave do të jenë vendimtare për zbatimin e suksesshëm të procesit dhe për një mjedis më të pastër në komunë.
Ky aktivitet, i realizuar në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike “Pellagonia” dhe me mbështetjen e SALAR International, përfaqëson një hap konkret në nivel lokal drejt krijimit të sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve në rajonet e Pellagonisë dhe Jugperëndimit. Sistemi rajonal i menaxhimit të mbetjeve përfshin infrastrukturë moderne, si qendra rajonale e menaxhimit të mbetjeve në Novaci, shërbime të grumbullimit dhe transportit, selektimin e duhur të mbetjeve, mbylljen dhe rehabilitimin e vendgrumbullimeve dhe deponive, si dhe depozitimin e sigurt të mbetjeve që mbeten pas selektimit të duhur.
Qëllimi i fillimit të ndarjes së mbetjeve në Komunën e Krivogashtanit është zvogëlimi i sasisë së mbetjeve që përfundojnë në deponi, si dhe kontributi për një mjedis më të pastër. Selektimi i duhur i mbetjeve fillon në shtëpi, por që të japë rezultate, nevojiten edhe grumbullim i organizuar, pajisje të përshtatshme dhe pjesëmarrje aktive e qytetarëve. Pikërisht për këtë arsye, në kuadër të projektit rajonal, për nevojat e Ndërmarrjes Publike “Pellagonia” tashmë është siguruar një automjet i ri i specializuar për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve.
Mbështetja për krijimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve në rajonet e Pellagonisë dhe Jugperëndimit sigurohet në kuadër të projektit “Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR International.