Mbeturinat nga ambalazhi janë pjesë thelbësore e angazhimit më të gjerë për zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi qarkore dhe harmonizim me standardet e BE-së

Zëvendësministrja për mjedis dhe planifikim hapësinor, Ane Lashkoska, sot kryesoi mbledhjen e parë të Bordit Këshillëdhënës për menaxhim të zgjuar të mbeturinave nga ambalazhi, e cila u mbajt në hapësirat e Ambasadës së Konfederatës Zvicerane në Shkup.
Mbledhjen e hapi Sh.T. Kristof Zomer, ambasador i Konfederatës Zvicerane, ndërsa në të morën pjesë dhe u përfshinë në mënyrë active ministri për vetëqeverisje lokale Zlatko Perinski, si dhe drejtori ekzekutiv i Pakomak, Filip Ivanovski, së bashku me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere.
Në fjalimin e saj, zëvendësministrja Lashkoska theksoi se menaxhimi i mbeturinave nga ambalazhi nuk është më vetëm çështje teknike, por pjesë thelbësore e angazhimit më të gjerë për zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi qarkore dhe harmonizim me standardet evropiane.
“Mënyra se si menaxhojmë mbeturinat nga ambalazhi paraqet themel të angazhimit tonë për politikë mjedisore moderne dhe të përgjegjshme. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem që është i vetëqëndrueshëm, modern, gjithëpërfshirës dhe plotësisht i harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, veçanërisht në pjesën e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesve”, theksoi Lashkoska.
Formimi i Bordit Këshillëdhënës paraqet hap të rëndësishëm drejt vendosjes së një sistemi më të fortë, më transparent dhe më efikas për menaxhimin e mbeturinave nga ambalazhi. Përmes këtij mekanizmi forcohet koordinimi institucional, nxitet përgjegjësi më e madhe te të gjitha palët e interesuara dhe krijohet bazë për zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme në përputhje me praktikat evropiane dhe parimet e ekonomisë qarkore.
Falënderim i veçantë iu drejtua Qeverisë së Zvicrës për mbështetjen e saj të vazhdueshme, strategjike dhe të sinqertë në të gjitha fazat e zhvillimit të këtij procesi. Lashkoska theksoi se ndihma zvicerane paraqet shembull të partneritetit të vërtetë, ku bashkëpunimi ndërkombëtar shndërrohet në rezultate konkrete në terren - përmes forcimit të kapaciteteve institucionale, përmirësimit të koordinimit dhe krijimit të një sistemi funksional që sjell përfitime reale për qytetarët dhe mjedisin.
Veçanërisht u theksua edhe roli i Pakomak si pionier në zbatimin e sistemit të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesve në shtet, ekspertiza dhe kapaciteti operativ i të cilit paraqesin resurs të rëndësishëm në këtë tranzicion.
Bordi Këshillëdhënës, i vendosur në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës dhe Pakomak, ka për qëllim të sigurojë orientim strategjik, koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe harmonizim të politikave kombëtare me standardet evropiane dhe parimet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.
“Ndërtimi i një sistemi modern për menaxhimin e mbeturinave nuk është vetëm menaxhim i mbeturinave – por është formësim i së ardhmes në të cilën duam të jetojmë. Vizioni ynë është i qartë: një sistem që do të sjellë përfitime reale ekologjike dhe ekonomike për qytetarët, do ta ulë varësinë nga deponitë, do t'i rrisë normat e riciklimit dhe do të krijojë vende pune të gjelbra”, porositi Lashkoska.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet fuqishëm e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi funksional, transparent dhe të harmonizuar me Evropën për menaxhimin e mbeturinave, ku qëndrueshmëria nuk është vetëm politikë - por përgjegjësi afatgjatë institucionale dhe shoqërore.
Burimi: MMJPH