Panel-diskutim në Resnjë: Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave kërkon qasje sistemore, koordinim dhe bashkëpunim
Rajoni i Prespës ndodhet në një fazë të re të avancimit të sistemit për menaxhimin e mbeturinave.

Në panel-diskutimin “Për një Prespë më të pastër: hapa të përbashkët për menaxhim më të mirë të mbeturinave”, që u mbajt në Resnjë më 23 prill, u theksua se menaxhimi i mbeturinave është proces që kërkon qasje sistemore, koordinim institucional dhe përfshirje aktive të të gjitha palëve të interesuara. Panelistët e pranishëm u pajtuan se në mënyrë që Prespa të ketë menaxhim të qëndrueshëm të mbeturinave, nevojitet veprim paralel, si në nivel politikash, ashtu edhe në terren.
Në panel-diskutim, theksi u vendos mbi faktin se tashmë ekzistojnë baza të vendosura, por faza e ardhshme kërkon aktivitete më qartë të përcaktuara, koordinim më të mirë dhe investim të vazhdueshëm si në infrastrukturë, ashtu edhe në kapacitete. Menaxhimi i mbeturinave është proces që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, mbrojtjen e resurseve natyrore dhe biodiversitetit, por edhe në zhvillimin e rajonit, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se Prespa është zonë ekologjikisht e rëndësishme për vendin dhe rajonin.
Ndërkohë, në nivel lokal tashmë janë arritur rezultate konkrete. Komuna e Resnjës zbaton aktivitete për pastrimin e deponive ilegale, ku gjashtë nga gjithsej nëntë lokacionet e identifikuara tashmë janë pastruar. Plani është që deri në fund të vitit rajoni të çlirohet plotësisht nga deponitë ilegale - hap që do të kontribuojë ndjeshëm për përmirësimin e mjedisit dhe shëndetit publik. Njëkohësisht, janë siguruar automjete të reja për mbledhjen e mbeturinave, ekzistojnë disa iniciativa për selektimin e plastikës, tekstilit dhe qelqit, po punohet edhe për kompostare për mbeturina organike, si dhe po realizohet edukim në shkolla dhe kopshte, me çfarë Prespa tashmë tregon se ndryshimi vërtet është i mundur.
Këto aktivitete në dukje janë ndërhyrje të izoluara, por në fakt janë pjesë e një procesi më të gjerë për vendosjen e një Sistemi Rajonal të qëndrueshëm për Menaxhimin e Mbeturinave (SRMM), për të cilin foli Emil Angelov nga SALAR International. SRMM është kyç për menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave dhe përfshin më shumë aktivitete paralele si mbylljen e deponive ilegale, ndërtimin e qendrave grumbulluese dhe stacioneve transferuese, dhe natyrisht ndërtimin e deponisë së re moderne pranë Novacit. Projekti "Menaxhimi i Qëndrueshëm i Mbeturinave në Nivel Lokal", të cilin e zbaton SALAR International në partneritet me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNjVL-në, bashkëpunon ngushtë si me institucionet kombëtare, ashtu edhe me 18 komunat në Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor për implementimin e SRMM-së. Rezultatet tashmë janë të dukshme, ndërsa procesi i reformës është në një fazë të re, në të cilën fokusi zhvendoset nga planifikimi drejt implementimit konkret, me aktivitete të qarta, investime dhe ndryshime institucionale.
Panel-diskutimi u organizua në kuadër të fushatës “Prespa? Zgjohu për një mjedis të pastër”, të cilën e zbaton Instituti për Studime të Komunikimit, në bashkëpunim me Eko Guerila Prespa dhe Shoqata Ekologjike Maqedonase, me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes programit “EU për Prespa”.