Prilepi promovon kulturën e selektimit të mbetjeve përmes fushatës “Pastërtia është e bukur”
26 Tetor 2026

Me përvojë shumëvjeçare në selektimin e mbetjeve, Prilepi vazhdon të promovojë kulturën e menaxhimit të duhur të mbetjeve përmes fushatës “Pastërtia është e bukur”, e cila synon të zgjerojë përfshirjen në sistemin e selektimit të mbetjeve dhe të forcojë më tej ndërgjegjësimin për menaxhimin e përgjegjshëm të tyre.
Fushata zbatohet nga Ndërmarrja Publike Komunale “Komunalec” – Prilep, në bashkëpunim me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe institucionet arsimore, në kuadër të projektit “Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR International. Aktivitetet synojnë përmirësimin e selektimit të mbetjeve në amvisëri, si dhe edukimin e qytetarëve, veçanërisht më të rinjtë, për rëndësinë e selektimit të duhur të mbetjeve dhe ruajtjes së mjedisit të pastër.
Një nga aktivitetet kryesore është përfshirja e familjeve të reja në sistem përmes shpërndarjes së koshave për selektimin e mbetjeve. Njëkohësisht, NPK “Komunalec” ofron edhe edukim për selektimin e duhur të plastikës dhe metaleve. Pjesë e fushatës janë edhe aktivitetet për selektimin e ambalazheve të qelqit në pikat ekologjike të grumbullimit nëpër qytet, ku qytetarët mund t'i hedhin veçmas këto mbetje dhe të kontribuojnë për një mjedis më të pastër.
Sipas të dhënave të publikuara nga NPK “Komunalec”, gjatë 90 ditëve të para të fushatës janë përfshirë 770 amvisëri, të cilave u janë shpërndarë 1.400 kosha – të gjelbër për mbetjet e përziera komunale dhe të verdhë për mbetjet që mund të riciklohen. Rezultatet konfirmojnë rëndësinë e zgjerimit të vazhdueshëm të sistemit dhe krijimit të kushteve që selektimin i mbetjeve të bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e jetës së përditshme.
Një pjesë e rëndësishme e fushatës janë aktivitetet edukative për fëmijët më të vegjël, siç është bashkëpunimi me kopshtet “Nasha Idnina”. Përmes lojërave, aktiviteteve krijuese dhe përmbajtjeve ndërvepruese, fëmijët mësojnë në mënyrë interesante dhe të kuptueshme se si t'i selektojnë siç duhet mbetjet, të ruajnë higjienën dhe të kujdesen për pastërtinë e qytetit të tyre. Në këtë mënyrë, që në moshë të hershme njihen me rëndësinë e riciklimit, menaxhimit të përgjegjshëm të mbetjeve dhe mbrojtjes së mjedisit. Në këtë aktivitet marrin pjesë edhe shoqatat qytetare “Moj Prilep”, “Stanica 5” dhe “Agro Lag Lider”, si dhe Njësia e Skautëve “Feniks”, të cilat kontribuojnë për informimin, edukimin dhe përfshirjen aktive të komunitetit lokal.
Prilepi prej vitesh investon në selektimin e mbetjeve, ndërsa çmimin që e fitoi si qyteti më i mirë në zbatimin e ekonomisë qarkore, në konkurrencë me 63 komuna aplikuese nga Ballkani Perëndimor, thekson edhe më shumë rëndësinë e vazhdimit dhe përshpejtimit të aktiviteteve dhe projekteve të nisura. Fushata “Pastërtia është e bukur” mbështetet mbi themelet tashmë të krijuara dhe përcjell një mesazh të qartë: shprehitë ekzistuese të selektimit të të mbetjeve duhet të avancohen dhe të përhapen vazhdimisht, në mënyrë që Prilepi dhe rrethina e tij të mbeten të pastër dhe të bukur.