Prezantimi dhe shpërndarja e pajisjeve për menaxhimin e mbeturinave
Sot në Manastir u promovua dhe u shpërnda një pjesë e pajisjeve të parapara për menaxhimin e mbeturinave (automjete dhe kontejnerë/kosha) për komunat e rajonit të Pellagonisë dhe atij Jugperëndimor.

Kryeministri Hristijan Mickoski ishte i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha dhe Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska.
Para kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të komunave të pranishëm, si dhe partnerëve nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe donatorëve (SECO, WBIF, SIDA), kryeministri Mickoski tha se sot po dërgojmë një porosi të fortë dhe të qartë se po ecim përpara nga një sistem i cili me dekada ishte lënë pas dore, drejt një menaxhimi modern, të qëndrueshëm dhe evropian me mbeturinat.
“Me promovimin dhe dorëzimin e pajisjeve të reja për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, po bëjmë një hap konkret drejt një mjedisi më të pastër, cilësisë më të lartë të jetës dhe mbrojtjes më të fortë të shëndetit të qytetarëve. Kjo pajisje nuk është vetëm një mjet teknik, ajo është simbol i ndryshimit sistemik. Me shpërndarjen e saj mundësojmë rritje të konsiderueshme të mbulimit me shërbimin e grumbullimit të mbeturinave si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale”, tha kryeministri Mickoski.
Me automjetet, kontejnerët dhe koshat e mbeturinave që Qeveria, përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, u ndan ndërmarrjeve publike komunale në këto komuna, do të lehtësohet dhe përmirësohet puna e tyre.
Në parkingun para sallës së sportit ishte ekspozuar një pjesë e pajisjeve, përkatësisht 10 kamionë me kapacitet prej 8 metra kub, 4 kamionë me kapacitet prej 12 metra kub, 1 kamion kiper, 1 kamion i markës "Renault", si dhe pajisje të tjera përcjellëse që do të forcojnë efikasitetin e shërbimeve komunale.
Kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, tha se sot po flasim për një projekt shumë të rëndësishëm mjedisor për shtetin tonë, projekt i cili kërkon qasje sistemike të më shumë institucioneve në nivel lokal, rajonal dhe qendror, me qëllim që të rezultojë me zgjidhje të përhershme për problemin që qytetarët, e veçanërisht banorët e zonave të mëdha urbane, e ndjejnë me dekada.
“Bëhet fjalë për Projektin Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, i cili nuk nënkupton vetëm ndërtimin e një deponie, blerjen e kamionëve apo kontejnerëve. Ai është një mënyrë e re e menaxhimit, një sistem i bazuar në standarde evropiane, përgjegjësi dhe bashkëpunim rajonal, plotësisht i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian. Komuna e Manastirit, si komuna më e madhe në rajonin e Pellagonisë, është edhe një nga gjeneruesit më të mëdhenj të mbeturinave komunale në rajon, andaj kemi rol dhe përgjegjësi të veçantë në këtë proces. Për ne, ky projekt nënkupton fundin e improvizimeve dhe fillimin e një menaxhimi modern, të kontrolluar dhe të qëndrueshëm me mbeturinat”, tha kryetari Konjanovski.
Konjanovski kujtoi se qendra rajonale për menaxhimin e mbeturinave do të ndërtohet në komunën e Novacit, në kuadër të REK Manastirit, gjë që është rezultat i solidaritetit rajonal dhe besimit të ndërsjellë mes komunave, dhe tha se Manastiri e mbështet këtë vendim sepse vetëm përmes zgjidhjeve të përbashkëta mund të kemi një rajon të pastër dhe mjedis të shëndetshëm.
“Me realizimin e aktiviteteve të planifikuara do të mundësohet mbyllja dhe sanimi i deponive ekzistuese jostandarde, si dhe vendosja e sistemit të ri me stacione ngarkim-shkarkimi në Prilep, Dibër, Ohër dhe Kërçovë, gjë që do të kontribuojë në reduktimin e ndjeshëm të ndotjes, mbrojtjen e tokës dhe ujërave nëntokësore, kushte më të mira për qytetarët dhe një model afatgjatë të qëndrueshëm për të gjitha komunat e rajonit”, tha ai.
Përfitimet konkrete për komunën e Manastirit, siç tha Konjanovski, tashmë janë të dukshme me dorëzimin e pajisjeve të reja – koshave, kontejnerëve dhe kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, duke krijuar kushte për mbulim më të madh me shërbime si në mjediset urbane ashtu edhe në ato rurale, grumbullim më efikas të mbeturinave dhe vendosjen e selektimit që në vendin e krijimit.
Ai potencoi se infrastruktura në vetvete nuk është e mjaftueshme dhe se suksesi i këtij sistemi do të varet nga ajo se sa komunat, ndërmarrjet publike, institucionet, por edhe qytetarët, do ta pranojmë kulturën e re të sjelljes me përgjegjësi ndaj mbeturinave.
“Ky projekt është dëshmi se kur shteti, komunat dhe partnerët ndërkombëtarë punojnë së bashku, rezultatet janë konkrete, të dukshme dhe të dobishme për të gjithë. Së bashku ndërtojmë një Manastir më të pastër, një rajon më të pastër të Pellagonisë dhe kujdesemi për të ardhmen e qytetarëve tanë”, tha kryetari i Manastirit.
Në ngjarje u fjalosën edhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Kryetari i Komunës së Novacit.
Burimi: Bitola Municipality