Një sistem funksional për menaxhimin e mbeturinave është i mundur, por kërkon vizion të qartë, partneritet dhe implementim të qëndrueshëm
Koordinimi rajonal dhe investimet në infrastrukturë ishin në fokus të panelit të parë të Forumit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave, kushtuar ndërtimit të një sistemi funksional në Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor.

Diskutimin e hapën Stevçe Stevanovski, kryetar i Komunës së Novacit dhe kryesues i Bordit Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (BNMM), Ana Karanfilova-Maznevska, udhëheqëse e sektorit për menaxhimin e mbeturinave pranë Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Andrijana Stojanovska, këshilltare shtetërore për zhvillim rajonal pranë Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, Pelle Hallberg, ekspert për menaxhimin e mbeturinave nga Ndërmarrja Publike Rajonale për Menaxhim me Mbeturina nga Javle, Suedi, dhe Emil Angelov, udhëheqës ekipi në SALAR International.
U theksua se formimi i Bordit Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (BNMM) paraqet hap kyç përpara, duke mundësuar platformë për vendimmarrje të përbashkët, harmonizim të prioriteteve dhe planifikim të koordinuar të investimeve. Përmes këtij mekanizmi, komunat për herë të parë kanë mundësi të veprojnë në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar.
Paralelisht, u theksua se pa infrastrukturë përkatëse nuk është e mundur vendosja e një sistemi funksional. Si prioritete u veçuan ndërtimi i qendrës rajonale për menaxhimin e mbeturinave, zhvillimi i stacioneve transferuese dhe qendrave grumbulluese, si dhe sigurimi i pajisjeve bashkëkohore për komunat. Panelistët theksuan se bëhet fjalë për një proces gradual që kërkon zbatim të kujdesshëm në faza dhe harmonizim të plotë me standardet evropiane.
Theks i veçantë u vendos mbi vetë konceptin e Sistemit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave (SRMM), i cili u prezantua si qasje e integruar që përfshin ndërtimin e infrastrukturës rajonale, mbylljen e deponive ekzistuese dhe vendosjen e një strukture moderne të qeverisjes. U theksua se implementimi i këtij sistemi do të sjellë përfitime të rëndësishme - shëndet më të mirë publik, mbrojtje të mjedisit dhe shërbime publike më efikase.
Përvojat nga Suedia e konfirmuan edhe më shumë rëndësinë e planifikimit afatgjatë, kornizës së qëndrueshme institucionale dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet të gjitha palëve të interesuara si faktorë kyç për suksesin e sistemeve të tilla.
Në pjesën e dytë të panelit, fokusi u zhvendos në planifikimin rajonal si mjet për implementim. U theksua se Plani i ri Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave, së bashku me planet lokale të veprimit, do të mundësojë shndërrimin e qëllimeve strategjike në aktivitete konkrete dhe të realizueshme. Në këtë proces, rol të rëndësishëm kanë mbështetja nga ekspertët, mbledhja dhe përdorimi i të dhënave, si dhe sigurimi i transparencës dhe gjithëpërfshirjes.
Panelistët u pajtuan se bashkëpunimi ndërkomunal është thelbësor për përshpejtimin e reformave, por edhe se ekzistojnë sfida, veçanërisht për shkak të kapaciteteve të ndryshme të komunave. Si zgjidhje u theksuan koordinimi i vazhdueshëm, përgjegjësia e përbashkët dhe komunikimi aktiv ndërmjet institucioneve dhe me qytetarët.
Si përfundim, u theksua se përvojat nga vendet e tjera, si dhe shembujt nga rajoni, tregojnë se një sistem funksional është i mundur, por kërkon vizion të qartë, partneritet dhe implementim të qëndrueshëm.