Filloi Forumi Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave: bazat janë vendosur, pason fazë e re në reforma
Filloi Forumi Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave “Së bashku për një rajon pa mbeturina: drejt një sistemi rajonal funksional dhe të qëndrueshëm”, i cili mbahet në një moment kyç për reformat në menaxhimin e mbeturinave në Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor.

Forumin e hapi Ambasadori i Suedisë, Ola Sullstrom, ndërsa fjalime hyrëse patën Ane Lashkoska, zëvendësministre për mjedis dhe planifikim hapësinor, Zlatko Perinski, ministër për vetëqeverisje lokale, Dushica Perishiq, drejtoreshë ekzekutive e BNjVL, dhe Ryan Knox, drejtor ekzekutiv i SALAR International. Forumi mbahet në kuadër të projektit "Menaxhimi i Qëndrueshëm i Mbeturinave në Nivel Lokal", financuar nga Suedia dhe implementuar nga SALAR International, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNjVL-së.
Forumi vjen si vazhdim i proceseve tashmë të vendosura dhe rezultateve të arritura, ndër të cilat edhe formimi i Bordit Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (BNMM) për Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor, si mekanizëm kyç për koordinim dhe vendimmarrje të përbashkët të komunave. Njëkohësisht, te planet lokale aktuale të veprimit progresi tashmë është i dukshëm - 32% e aktiviteteve janë realizuar plotësisht, 45% janë në vijim, ndërsa 23% janë në përgatitje. Në të njëjtën kohë, roli i rritur aktiv i komunave, koordinimi i forcuar institucional dhe mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë krijojnë kushte të favorshme për forcimin e mëtejshëm të reformave. Bazat tashmë janë vendosur, ndërsa fokusi zhvendoset drejt fazës së ardhshme.
Pikërisht në këtë kontekst, forumi i bashkon aktorët kyç për të përcaktuar hapat e ardhshëm lidhur me aspektet strategjike dhe operative të vendosjes së një SRMM-je funksionale, i cili njihet si projekt kyç që do të sjellë ndryshime të rëndësishme. Në fokus do të jetë cikli i ri i planifikimit rajonal që do të punohet paralelisht me zbatimin e planeve lokale aktuale të veprimit, më tej investimet në infrastrukturë, koordinimi institucional, përmirësimi i funksionimit dhe ndërtimi i besimit përmes përfshirjes së publikut.
Sa i përket Planit të ri Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave për të dy rajonet (2027-2032), i cili do të përgatitet në periudhën e ardhshme nga komunat me mbështetjen e SALAR International, ai do të shërbejë si mjet praktik për shndërrimin e qëllimeve strategjike në aktivitete konkrete dhe të përcaktuara në kohë. Ai është kyç për implementimin e mëtejshëm të SRMM-së dhe do të mundësojë koordinim më efikas, përdorim më të mirë të resurseve dhe vendosje graduale të një sistemi modern të harmonizuar me standardet evropiane, i cili do të sigurojë shërbime më cilësore dhe mjedis më të pastër për qytetarët.