BNMM-ja shqyrtoi draftin e Planit të ri Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave 2027–2032 për Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor

Sot në Manastir u mbajt seanca e dytë e punës e Bordit Ndërkomunal të Menaxhimit të Mbetjeve (BNMM) për Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor, kushtuar progresit për zhvillimin e sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave dhe përgatitjes së Planit të ri Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave (PRMM) për periudhën 2027–2032.
Në seancë u prezantua dhe u diskutua drafti i PRMM-së së re, duke përfshirë prioritetet e identifikuara gjatë procesit të planifikimit, që ndërlidhen me infrastrukturën, selektimin e mbeturinave, mbylljen e vendgrumbullimeve të paligjshme dhe deponive jostandarde, si dhe obligimet që komunat duhet të përmbushin gjatë gjashtë viteve të ardhshme të zbatimit të PRMM-së. Gjithashtu, u diskutuan aspektet e komunikimit të planit dhe përfshirja e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile si pjesë përbërëse e zbatimit të tij dhe e funksionimit të sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave.
Gjatë seancës, anëtarët e BNMM-së diskutuan edhe për progresin, statusin dhe aktivitetet e planifikuara në kuadër të projekteve kryesore për menaxhimin e mbeturinave në rajon, ndër të cilat qendra rajonale për menaxhimin e mbeturinave dhe rruga anashkaluese në Novac, stacionet e transferimit, furnizimi me automjete dhe pajisje, metodologjia për përcaktimin e tarifave të reja për mbeturinat, si dhe themelimi i ndërmarrjes publike komunale rajonale.
Vëmendje e veçantë iu kushtua grumbullimit dhe përpunimit të të dhënave komunale për mbeturinat. Me vendim të BNMM-së, platforma “Rajon pa mbeturina” u përcaktua si platforma rajonale për grumbullimin sistematik të të dhënave për mbeturinat, duke përfshirë sasitë e vlerësuara të mbeturinave të krijuara dhe të grumbulluara, si dhe sasitë e matura përmes peshoreve të certifikuara në të gjitha lokacionet e miratuara për matje. Në këtë drejtim, me vendim u përcaktuan edhe të ashtuquajturit faktorë të konvertimit, të cilët do të ndihmojnë në përcaktimin e sasive reale të mbeturinave të përziera komunale në kilogramë, duke u mundësuar komunave të kenë një pasqyrë më të plotë të gjendjes. Kjo qasje do t'u mundësojë komunave të marrin vendime të bazuara në të dhëna të sakta dhe konkrete gjatë periudhës së planifikimit.
Përveç kësaj, në seancën e BNMM-së u miratua vendimi për përgatitjen e Vlerësimit Strategjik të Ndikimit në Mjedis për PRMM-në 2027–2032 për Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor. Ky vlerësim do të identifikojë ndikimet e mundshme të zbatimit të planit rajonal në mjedis dhe, sipas nevojës, do të propozojë zgjidhje alternative për shmangien ose zvogëlimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve.
Në seancën e punës morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, me çka Bordi rikonfirmoi përkushtimin e tij për përfshirjen e këtyre organizatave në procesin e planifikimit rajonal dhe në zbatimin e mëtejshëm të planit. Pjesëmarrja e tyre vlerësohet si jashtëzakonisht e rëndësishme për të kuptuar më mirë nevojat dhe sfidat e komuniteteve, si dhe për të krijuar një dialog më të hapur ndërmjet institucioneve dhe publikut.
Puna e BNMM-së mbështetet nga projekti “Menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave në nivel lokal”, i financuar nga Suedia dhe i zbatuar nga SALAR International.