Region Without Waste
Historia jonëSRMMBNMMLajmeTreguesit e mbeturinaveBurimetNgjarje
    Region Without Waste
    Historia jonëSRMMMOUOTreguesit e mbeturinave
    Portali i partnerëveKontaktLajmeBurimet
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo

    Salar International nuk mund të garantojë saktësinë e të dhënave dhe informacioneve të paraqitura në këtë platformë. Plotësia dhe saktësia e të gjitha të dhënave dhe informacioneve varen nga burimet e tyre, të cilat janë jashtë kontrollit të organizatës.

    Ballina/Lajme

    Institucione të forta dhe përfshirje aktive e qytetarëve - parakushte për një sistem të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave

    Funksionimi operativ i sistemit, gatishmëria e ndërmarrjeve publike komunale dhe përfshirja e qytetarëve ishin në fokus të panelit të dytë të Forumit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave.

    29 Prill 2026
    Institucione të forta dhe përfshirje aktive e qytetarëve - parakushte për një sistem të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave

    Funksionimi operativ i sistemit, gatishmëria e ndërmarrjeve publike komunale dhe përfshirja e qytetarëve ishin në fokus të panelit të dytë të Forumit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave, kushtuar funksionimit, rreziqeve dhe përfshirjes së qytetarëve, ku folën Sashka Bërbljiq, ndihmës-udhëheqëse e Sektorit për zhvillim të qëndrueshëm dhe investime dhe eksperte financiare në njësinë projektuese të projektit rajonal për mbeturina të ngurta pranë MMJPH, Vera Blagojeviq, udhëheqëse e shërbimit për punë komunale në NPK "Zlatibor", Komuna e Çajetinës, Liljana Jonoski, drejtoreshë ekzekutive e "Koalicionit Rural" dhe Martin Nikoliq, koordinator projekti në SALAR International.

    Diskutimi hapi tema të rëndësishme për gjendjen në terren. Analiza e kapaciteteve të ndërmarrjeve publike komunale në Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor tregoi se sistemi ende përballet me sfida serioze, nga qasjet ad-hoc në punë, deri te mungesa e procedurave të standardizuara operative, strukturës së qartë organizative dhe stabilitetit financiar. U theksua se, edhe pse janë bërë hapa të rëndësishëm përpara, nevojiten përpjekje shtesë për të siguruar gatishmëri të plotë të ndërmarrjeve për funksionim në kuadër të sistemit rajonal.

    Në këtë kontekst, u ndanë edhe përvoja praktike nga rajoni, të cilat tregojnë se transformimi është i mundur. Me vizion të qartë, investime të vazhdueshme dhe përmirësim të qeverisjes, ndërmarrjet komunale mund gradualisht të kalojnë drejt modeleve më efikase dhe të qëndrueshme të punës.

    Përveç aspekteve teknike dhe organizative, theks i veçantë u vendos mbi ndërtimin e besimit. U theksua se transparenca, llogaridhënia dhe përfshirja aktive e qytetarëve janë parakushte kyçe për qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit. Pa besim në institucione dhe pa kuptim të proceseve, asnjë reformë nuk mund të japë rezultat të plotë.

    Në diskutim u prezantuan edhe mjetet dhe metodologjitë konkrete të zhvilluara në kuadër të projektit "Menaxhimi i Qëndrueshëm i Mbeturinave në Nivel Lokal", të implementuar nga SALAR International, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e funksionimit operativ të komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale. Këto udhëzime praktike paraqesin mbështetje të rëndësishme në tranzicionin drejt një sistemi funksional.

    Në pjesën e dytë të panelit, fokusi u vendos mbi aktivitetet që pasojnë. U theksua se komunat kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme operative, forcim të kapaciteteve dhe qasje në njohuri dhe resurse, në mënyrë që të mund t'u përgjigjen kërkesave të sistemit rajonal.

    Përveç kësaj, u theksua rëndësia e pjesëmarrjes aktive të sektorit qytetar, veçanërisht në procesin e përgatitjes së Planit të ri Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave. Gjithëpërfshirja dhe vendosja e mekanizmave për llogaridhënie janë kyçe për të siguruar transparencë më të madhe dhe mbështetje nga publiku.

    Si një nga elementet kyçe për një sistem të qëndrueshëm u theksua edhe mbledhja dhe analiza e të dhënave. Platforma e re e internetit “Rajon pa mbeturina” do të mundësojë mbledhje, monitorim dhe ndarje të centralizuar të informacioneve, që do të kontribuojë për planifikim më të mirë, marrje të vendimeve të informuara dhe transparencë më të madhe.

    Përfundimi i panelit ishte i qartë: vendosja e një sistemi funksional për menaxhimin e mbeturinave nuk varet vetëm nga infrastruktura, por edhe nga institucione të forta, ndërmarrje të përgatitura dhe qytetarë aktiv. Vetëm përmes forcimit të njëkohshëm të të gjitha këtyre elementeve, reforma mund të japë rezultate afatgjata dhe të qëndrueshme.

    Ndaje këtë lajm: