Region Without Waste
Historia jonëSRMMBNMMLajmeTreguesit e mbeturinaveBurimetNgjarje
    Region Without Waste
    Historia jonëSRMMMOUOTreguesit e mbeturinave
    Portali i partnerëveKontaktLajmeBurimet
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo
    Partner Logo

    Salar International nuk mund të garantojë saktësinë e të dhënave dhe informacioneve të paraqitura në këtë platformë. Plotësia dhe saktësia e të gjitha të dhënave dhe informacioneve varen nga burimet e tyre, të cilat janë jashtë kontrollit të organizatës.

    Ballina/Lajme

    Mbeturinat si sfidë serioze: Qendrat rajonale si zgjidhje

    Menaxhimi i mbeturinave po bëhet problem gjithnjë e më i madh dhe më serioz për komunat në Maqedoni. Fatkeqësisht, asnjë deponi te ne, përveç në disa vende si Drisla në Shkup dhe deponia në Gjevgjeli, nuk përmbush asnjë standard të nevojshëm. Ndotje, erë e pakëndshme, deponi që digjen vazhdimisht - kjo është pamja në shumë vende në Maqedoni.

    30 Prill 2026
    Mbeturinat si sfidë serioze: Qendrat rajonale si zgjidhje

    Në të kaluarën ishin planifikuar tetë qendra të tilla rajonale në të gjithë shtetin, përkatësisht nga një në secilin rajon planor, por sot, për shkak të sasive të pamjaftueshme të mbeturinave dhe leverdisë ekonomike, ky numër është ulur në pesë: Novaci për Rajonin e Pellagonisë dhe Rajonin Jugperëndimor, Rusino për Rajonin e Pollogut, Drisla për Rajonin e Shkupit, Dobreshinci për Rajonin Juglindor dhe ai i Vardarit dhe Sveti Nikoles për Rajonin Lindor dhe Verilindor.

    Pikërisht qendrat rajonale ishin një nga temat edhe në panel-diskutimin “Për një Prespë më të pastër: hapa të përbashkët për menaxhim më të mire të mbeturinave”, në Resnjë, organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit në bashkëpunim me Eko Guerila Prespa dhe Shoqata Ekologjike Maqedonase, si pjesë e fushatës “Prespa? Zgjohu për një mjedis jetësor të pastër”, mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit “EU për Prespa”.

    „Ideja është të ulen shpenzimet. Sado që mund të duket se disa distanca janë të mëdha, ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë se ku saktësisht do të vendosen stacionet transferuese. Disa komuna do të mund t'i dërgojnë mbeturinat drejtpërdrejt në deponinë në Novaci, ndërsa të tjerat në stacione transferuese, ku do të ketë ndërmarrje komunale rajonale që do të menaxhojë qendrën në Novaci dhe stacionet transferuese, por edhe do të kryejë transportin dhe do ta menaxhojë vetë deponinë. Komunat dhe ndërmarrjet e tyre komunale do të vazhdojnë të menaxhojnë mbeturinat në nivel lokal, t'i mbledhin ato dhe, në vend se t'i dërgojnë në deponi, t'i dërgojnë në stacionin transferues”, tha Emil Angelov nga SALAR International.

    Qendra rajonale në Novaci do të përfshijë 18 komuna, duke filluar nga Qendra Zhupë e deri në Strugë, Ohër, Kërçovë dhe të gjitha komunat që gravitojnë drejt Rajonit Planor të Pellagonisë.

    „Për deponinë është planifikuar që tenderi për kontraktor të shpallet deri në fund të vitit, ndërsa për rreth dy vjet ajo duhet të ndërtohet dhe të jetë operative. Ajo që mbetet si problem serioz më tej është mbyllja e deponive ekzistuese komunale. Bëhet fjalë për 16 deponi në këto dy rajone dhe, sipas vlerësimit që bëmë para tre vitesh, për mbylljen e tyre do të nevojiteshin rreth 30 milionë euro. Kjo është një shumë tepër e madhe që asnjë komunë nuk mund ta sigurojë vetë, prandaj me gjasë shteti përsëri do të duhet të ndërhyjë përmes një projekti”, shtoi Angelov.

    Për zgjidhjen e problemit me mbeturinat, Resnja tashmë ka filluar me njëfarë selektimi të qelqit, tekstilit dhe mbeturinave elektronike, ndërsa deri në shtator të këtij viti duhet të shpërndahen 2.000 kosha të verdhë për selektimin e letrës dhe plastikës në amvisëri. Deri në vitin 2028, Resnja duhet të marrë edhe kompostare dhe thërrmuese për riciklimin e mbetjeve ndërtimore, me çka, së bashku me Prilepin, duhet të jetë një nga dy qytetet në Maqedoni që do ta udhëheqin këtë proces.

    „Trashëguam nëntë vendbanime nga të cilat nuk grumbulloheshin mbeturinat. Në vitet 2023 dhe 2024 e ulëm këtë numër nga nëntë në gjashtë, ndërsa në vitin 2025, me pranimin e dy automjeteve për mbledhjen e mbeturinave përmes programit ‘EU për Prespa’, e ulëm edhe për tre. Në vitin 2026 qëllimi ynë është t'i përfshijmë të gjitha vendbanimet, pavarësisht numrit të banorëve, dhe mbeturinat të mblidhen edhe nga vendet ku krijohet më pak mbeturina, duke pasur parasysh se më parë nuk kemi vepruar në ato vende”, theksoi Marçel Rusu, drejtor i NPK Proleter Resnjë.

    „Do të ndalem te disa sfida, e ato janë forcimi i bashkëpunimit ndërsektorial. Ai vërtet na nevojitet sepse vetëqeverisja lokale, pa bashkëpunim në të gjitha nivelet, horizontalisht dhe vertikalisht, nuk mund ta realizojë plotësisht këtë koncept vetë. Nevojitet edhe mbështetje eksperte dhe financiare për zbatimin e legjislacionit në këtë fushë”, potencoi Ayman Al Malla, udhëheqës i sektorit për mjedis pranë Komunës së Resnjës.

    Si pjesë e mbrojtjes së mjedisit, aktualisht në Prespë po ndërtohen edhe pesë sisteme kanalizimi me impiante të vogla për trajtim në Pretor, Stenje, Dolno Dupeni, Krani dhe Brajçinë, të cilat duhet të përfundojnë deri në shtator të këtij viti.

    Përfitim më të drejtpërdrejtë do të ketë Liqeni i Prespës dhe i gjithë biodiversiteti i brishtë rreth tij. Gjithashtu, përfitim të drejtpërdrejtë do të kenë edhe rreth 1.500 njerëz, të cilët do të lidhen me sistem kanalizimi që do t'i trajtojë ujërat fekale, sepse fundi fundit, pavarësisht nëse përmes lumit, drejtpërdrejt apo tërthorazi, të gjitha ato gravitojnë pranë Liqenit të Prespës”, thotë Zoran Trajçevski nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

    Por, përveç zgjidhjeve infrastrukturore, është e rëndësishme të rritet edhe vetëdija e qytetarëve për selektimin e mbeturinave.

    „Shpresoj që vetëdija te popullsia të ngrihet në një nivel më të lartë sepse këtë duhet ta bëjmë për veten tonë. Tani kur tashmë jemi rajon i njohur dhe i respektueshëm, është e dhimbshme që mes dy parqeve kombëtare, një liqeni të mrekullueshëm, një zone me ajër të pastër dhe ngjashëm, ne vetë ta shkatërrojmë atë”, theksoi Jovan Tozievski, kryetar i Komunës së Resnjës.

    Përndryshe, fatkeqësisht, në Maqedoni ende 99% e mbeturinave përfundojnë të pa selektuara në deponi, ndërsa 20 deri 30% mbeturina shtesë hidhen në vendgrumbullime të ndryshme, përkatësisht në deponi ilegale që gjenden pothuajse kudo.

    Historinë e përgatiti Instituti për Studime të Komunikimit (IKS) në bashkëpunim me Info Kompas në kuadër të fushatës për menaxhimin e mbeturinave në Rajonin e Prespës „Prespa? Zgjohu për një mjedis jetësor të pastër“, e cila mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit “EU për Prespa”. Kjo përmbajtje është përgjegjësi e vetme e IKS-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

    Ndaje këtë lajm: